Shkolla e Magjistraturës, më datë 12 mars 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Marrëdhëniet e gjykatave me median. Qëllimi kryesor i komunikimit. Aktorët që “duhet” e që “munden” të komunikojnë me median apo me audiencat. Përparësitë dhe kufizimet. Liria e shprehjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kufizimet në lirinë e shprehjes për gjyqtarët dhe prokurorët. Sekreti hetimor dhe liria e shprehjes", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Zylyftar Bregu; Perikli Zaharia
Lehtësues: Marinela Osmani (Nuni)
Qëllimi i këtij trajnimi është:Trajnimi synon shtjellimin dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me qëllimet kryesore të komunikimit, aktorët që duhet të komunikojnë me publikun, si edhe me lirinë e shprehjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë kufizimet që lidhen me çështjet e etikës apo me sekretin hetimor. Trajnimi trajton çështje mbi besimin e publikut në sistemin e drejtësisë që përbën një nga themelet në të cilin mbështetet shteti i së drejtës. Këto themele janë të shëndosha kur komunikimi me publikun është i hapur dhe transparent. Për të realizuar këtë, mediat duhet të bëhen aleatët e gjykatave/prokurorive. Trajnimi synon të analizojë qëllimet dhe aktorët kryesorë të komunikimit të gjykatave/prokurorive me median. Roli i mediave tradicionale dhe atyre platformave dixhitale të komunikimit për përcjelljen e mesazhit te publiku. Liria e shprehjes dhe mbrojtja e personalitetit për gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të mirëadministrimit të drejtësisë. Standardet dhe praktika ndërkombëtare e kombëtare. Trajnimi synon të identifikojë sekretin hetimor sipas dispozitave procedurale penale dhe Kodit Penal. Cilat janë aktet hetimore sekrete. Roli i organeve proceduese në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimit të publikimit të akteve sekrete dhe jo sekrete. Veprat penale që lidhen me zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete dhe publikimin e tyre. Detyrimet e magjistratëve në ruajtjen e autoritetit gjyqësor dhe administrimit të sekretit hetimor në raport me lirinë e shprehjes dhe të drejtën e marrjes së informacionit. Publikimet që mund të shkaktojnë shkeljen e sekretit hetimor dhe konfidencialitetit të hetimeve dhe të prezumimit të pafajësisë sipas GJEDNJ-së etj.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Liria e shprehjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shtrirja e së drejtës per lirinë e shprehjes së magjistratëve; Si e kuptojmë ushtrimin nga magjistrati të lirisë së shprehjes kur ai sulmohet individualisht nga politika? A duhet të shprehet magjistrati në këtë rast?
- Kufizimet e lirisë së shprehjes;
- Liria e shprehjes së magjistratëve në kuadrin e mirëadministrimit të drejtësisë; Liria e shprehjes së magjistratëve on line; Pjesëmarrja e magjistratëve në debatet publike; Marrëdhëniet e magjistratëve me median.
- Jurisprudenca e GJEDJNJ-së dhe e GJK mbi lirinë dhe kufizimet e lirisë së shprehjes së magjistratëve.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës